Këtë Ramazan vizitojeni Sarajevën – Jerusalemin evropian
Na është e njohur thënia se në udhëtim është bereqeti (bekimi). Kulmin e kësaj të vërtete mund ta përjetojmë kur për udhëtim përzgjedhim periudhën, dhe vendin e veçantë.
Ramazani është muaji më i bekuar në kalendarin islam, dhe udhëtimi në të, njohja e shteteve tjera, popujve dhe traditave të tyre, paraqet rast të jashtëzakonshëm për rritjen shpirtërore.
Nëse deri tani nuk patët rast ta vizitoni Bosnjë dhe Hercegovinën dhe kryeqytetin e saj, ju rekomandojmë që këtë ta bëni gjatë Ramazanit, sepse Sarajeva, përkatësisht pjesa më e vjetër e saj, Bashçarshia, në Ramazan jeton në mënyrë të veçantë.
Rrugët e ngushta të Bashçarshisë që u ndërtuan në periudhën osmane janë të gërshetuara me dyqanet, shitoret e zanatit, restorantet, kafenetë, xhamitë, monumentet nacionale… Gjithë këtë e unifikon era e somuneve, iftareve prej restoranteve, leximi i Kur’anit në xhamitë – mukabelasë që besimtarët marrin pjesë edhe në oborret e xhamive, teravive dhe topit me bastion të verdhë i cili lajmëron përfundimin e agjërimit…
Katedralja katolike, kisha ortodokse, sinagoga dhe xhamitë
Të paktë janë kryeqytetet e Evropës, të cilët trashëgojnë kulturën e katër religjioneve të mëdha monoteiste. Sarajeva është një prej qyteteve të rralla në botë ku njëkohësisht mund të dëgjohet ezani (thirrja e muslimanëve në lutje prej minareve) dhe zilet e katedrales katolike dhe kishës ortodokse. Në rrethin e një kilometri gjenden dy sinagoga (sefardike dhe ashkenaze), katedralja e madhe katolike, kisha e vjetër ortodokse e ndërtuar para vitit 1539, dhe katedralja ortodokse dhe dhjetëra xhamitë.
Krahas arkitekturës së pasur Sarajeva, si edhe Bosnja dhe Hercegovina, gjatë historisë ka ruajtur jetën multietnike dhe multireligjioze. Sarajeva në qendër të vëmendjes botërore depërtoi me 28.06.1914, kur është kryer atentati në princin austro-hungarez Franc Ferdinand. Ajo ishte e shtënë e cila shënjoi fillimin e Luftës së Parë Botërore. Në Luftën e Dytë Botërore Bosnja dhe Hercegovina ishte nën okupim të Shtetit të Pavarur Kroat, i cili ishte pjesë e Gjermanisë naziste. Boshnjakët, popullsi shumicë muslimane qysh në verën e vitit 1941 revoltuan kundër vrasjes së hebrenjve, romëve dhe serbëve përmes nënshkrimit të rezolutave të El-Hidajeh. Janë dokumentuar raste të shumta të fshehjes së hebrenjve në shtëpitë e boshnjakëve të pasur dhe të famshëm.
Shpëtimi i hebrenjve në Sarajevën e okupuar, u është bërë inspirim hebrenjve amerikanë që të ndjejnë keqardhje me muslimanë dhe bashkë me ta të luftojnë kundër islamofobisë.
Në këtë fotografi është treguar sarajevasja Zejnebe Hardaga e cila me vete përcjellë çifuten Rivka Kavillo, dhe fëmijët e saj në Sarajevë në vitin 1941. Derisa ecin bashkë, Zejnebja me shaminë e vetë fsheh yllin e verdhë në dorën e Rivkës, që është shenjë e dallimit të hebrenjve. Familja e Zejnebës e pranoi familjen Kavillo të jetojnë me ta në shtëpinë e tyre, derisa Josef Kavillo nuk e barti gruan dhe fëmijët në lokacionin më të sigurt. Pas kësaj, Hardagët kanë fshehur Josefin përkundër asaj se në afërsi gjendej qendra e Gestapoit, dhe përkundër paralajmërimeve që çdokush që fsheh çifutin do të jetë i vrarë. Më vonë edhe Josefi iu shoqërua familjes së vetë dhe ata që të gjithë mbijetuan Luftën e Dytë Botërore.
Një prej kryetarëve më të suksesshëm sarajevas, dhe projektuesi ideor i holdingut industrial Bosnje-Hercegovas Energoinvestit i cili punësonte 50.000 njerëz, Emerik Blum ishte hebrenj i cili mbijetoi kampet naziste.
Në Sarajevë gjenden edhe varrezat më të mëdha sefardike në Evropë, kurse hebrenjtë sarajevas kanë ruajtur gjuhën e vetë ladino – përzierje e hebraishtes me spanjishten.
Këtyre fakteve duhet shtuar tregimin rreth Hagades sarajevase – librit hebraik të cilin e sollën me vete prej Spanjës, i cili mbijetoi Luftën e Dytë Botërore dhe rrethimin brutal të Sarajevës kur fashizmi sërish u kthye në tokën evropiane.
Pak dihet rreth asaj që njëra prej faltoreve më të mëdha ortodokse në Ballkan, është ndërtuar në iniciativë të banorëve të Sarajevës. Kisha u ndërtua në vitin 1874, me lejen e sulltanit Abdul Aziz. Edhe pse në luftën e kaluar, Sarajeva ishte në rrethim të ushtrisë serbe 44 muaj kjo kishë, si edhe objektet e tjera fetare janë ruajtur.
Katedralja katolike në rrugën e Ferhadisë është ndërtuar në vitin 1898, që paraqiste ndikimin e qeverisjes së re evropiane e cila ndryshoi katër shekuj të qeverisjes osmane. Për 40 vite të qeverisjes së Monarkisë Austro-Hungareze në Bosnje e Hercegovinë u vendosën mbi 100.000 persona prej pjesëve të ndryshme të Austro-Hungarisë dhe prej shteteve tjera. Në këtë mënyrë shoqëria Bosnjë-Hercegovase mori ngjyrim të ri me formimin e komuniteteve të austriakëve, gjermanëve, çekëve, polakëve, hungarezëve, ukrainasve, rusëve, sllovakëve e hebrenjve ashkenaz.
Xhamia më e madhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, e cila është ndërtuar në periudhën e qeverisë osmane është xhamia e Gazi Husrev-begut në Bashçarshi. Është e formës katrore, e zbukuruar me kupolën me një diametër 13 metra, me shatërvan në oborr dhe minaren e lartë 26 metra. Xhamia e begut, siç e quajnë në popull, është e ndërtuar në vitin 1530. Kjo është xhamia e parë në botë e cila mori ndriçim elektrik në vitin 1898.
Përball xhamisë është Kulla e Sahatit, e vetmja në botë që ende mat kohën sipas Ala Turca.
Bërthama e vjetër e qytetit të Sarajevës ka dy sinagoga. Të parën e ndërtuan hebrenj sefardik të cilët prej Spanjës u shpërngulën në Perandorinë Osmane. Deri në Luftën e Dytë Botërore, një prej komuniteteve më të mëdha hebraike në Ballkan jetonte pikërisht në Sarajevë.
Sinagogën e dytë e ndërtuan hebrenj ashkenaz të cilët në Sarajevë filluan të vendosen pas pushtimit austro-hungarez të Bosnjës dhe Hercegovinës në vitin 1878. Kur u ndërtu në vitin 1902 ishte e treta për nga madhësia në Evropë.
Është e vendosur në bregun e majtë të Milaçkës, midis urave Drvenija dhe Qumurija. E projektoi arkitekti çek Karl Parzhik, i cili i dha vulë zhvillimit urban të Sarajevës gjatë kohës së Austro-Hungarisë. Projektoi edhe Vijeqnicën, Muzeun Tokësor (Muzeu Kombëtar), ndërtesën e Fakultetit të Shkencave Islame dhe shumë objekte tjera.
Nëse përzgjidhni Sarajevën për vizitë këtë Ramazan, ose verës me siguri do ta pasuroni përvojën tuaj jetësore. Do të jetësoni përvojën unike të Ramazanit, e aty janë muzetë përmes të cilëve mund të shihni zhvillimin e civilizimit në tokën e Bosnje dhe Hercegovinës, prej parahistorisë deri në fund të shekullit 20, prej çka muzetë janë të ndërlidhur për vitet e luftës së 90-tave, më interesante për turistë.
Sarajeva është qytet të cilin në fillim të shekullit të 20 e shënjoi atentati, që ishte shkak i fillimit të Luftës së Parë Botërore, e në fund të shekullit rrethimi më i gjatë i kryeqytetit në historinë moderne, të cilit i parapriu Olimpiada Dimërore e vitit 1984, që paraqiste kulmin e zhvillimit të këtij qyteti.
Në tekstet vijuese do të shkruajmë rreth atmosferës së Ramazanit në Sarajevë, dhe artit islam dhe arkitekturës në Sarajevë.
#sarajevo_in_ramadan
Shkruan: Voloder Sanadin, Akos.ba
Nga gjuha boshnjake përktheu: Behrim JUSUFI, Prizren